Roshi Ajdini: Bashkë për një qëllim madhor!

Intervistoi Enkeleida Z. Fejzo

Roshi Ajdini: Bashkë për një qëllim madhor!

Një nisëm me sensibilizimin dhe tërheqin e mendimeve nëpërmjet komunikimit çdo ditë në atë dritare të madhe që quhet Facebook bëri optimist dhe entuziast Zhapoqotë kudo ku ndodheshin. Roshi Ajdini hap pas hapi me sqarimet e duhura, me komunikimet e shumta me shumë bashkëfshatarë të tij kudo ku ndodheshin bëri të mundur që të krijohej një frymë e madhe pozitive pro bërjes së rrugës së Zhapkikës së Sipërme (dhe jo vetëm) nëpërmjet kontributeve të tyre. Rroshi Ajdini nismëtari i kësaj vepre të domosdoshme shprehet me entuzizëm të cilin nuk e fsheh, mes shumë emocionesh i qesh gjithë fytyra…

– Si lindi ideja dhe nisma?

– Një nisëm me sensibilizimin dhe tërheqin e mendimeve nëpërmjet komunikimit çdo ditë në atë dritare të madhe që quhet Facebook bëri optimist dhe entuziast Zhapoqotë kudo ku ndodheshin teksa citon me zë pak më të lartë… “Zhapokikë të kemi në zemër, nostalgjia hedhur rrënjët” Idenë e kisha prej shumë kohësh në mëndje mund të them me vite por kishte ardhur momenti. Mendova se vetëm të bashkuar dhe me lobimet e duhura atje ku duhet dhe atje ku do kemi zë dhe fuqi nuk do rreshtim kurrë për të bërë atë që duhet për fshatin tonë të dashur. Pasi duke qenë se kishim më shumë se një vit pandemie ku shumë familje kanë kaluar virusin vetëm, duke pasur edhe humbje jete, pamundësia e rrugës na shtoi dhe më shumë dhimbjen që nuk mundi t’u gjendeshim afër njëri-tjetrit. Mendova se ky ishte momenti që nuk duhet të prisja më. Rruga duhet ndërtuar! Bashkë për një qellim madhor!

– Si filluan kontributet?

– Ishin reagimet mjaft pozitive e një pjese të madhe nga vetë ata që bëri të mundur për të hapur një numër llogarie për bërjen e rrugës. Na kanë mrekulluar bijat e fshatit me kontributet e tyre, na kanë suprimuar bijtë e fshatit, na kanë emocionuar pensionistët, na kanë inkurajuar ata që kanë hedhur shuma të mëdha, na kanë nxitur dhe më shumë kontributet që kanë ardhur nga miqtë dhe shokët tanë. Kanë kontribuar Zhapoqotet nga brenda vendit, nga jashtë vendit, nga Greqia, nga Italia, nga Gjermania, nga Anglia, nga Amerika, nga Suedia, nga kudo ndodhen. Jemi të befasuar nga shuma e mbledhur dhe nga ky unitet i madh si fshat.

– Si e pritën bashkëfshatarët fillimin e punimeve?

Gjatë punimeve të rrugës në Zhapokikën e Sipërme

– Ajo që vlen të përmendet dhe theksohet me të madhe është ajo që kemi arritur deri tani. Askush nuk e kishte parashikuar që në pak muaj ne do grumbullonim kaq shumë të ardhura. Kemi besuar por jo deri në këto shuma, ndaj se deri ku do shkojmë nuk e parashikojmë dot. E konceptuam në fillim që llogaria do qëndroj e hapur vetëm tre muaj por kur ishim në përmbyllje të këtij afati vendosëm që llogaria do rri e hapur deri në mbarim të rrugës. Ndaj dhe serish i drejtohemi miqësisht atyre që akoma nuk janë bërë pjese e kontributeve, pasi kishte dhe ka akoma bashkëfshatar që për shumë arsye nuk ishin bërë pjesë e kontributit, por që duan të jenë pjesë e këtij organizimi të madhe.

Dua të theksoj diçka shumë të rëndësishme:  janë të mirëpritur të gjithë, edhe ata që ngurojnë, dhe ata që ndoshta duan të kontribuojnë me pak por që mund të ndihen keq për sasinë e paket, ndaj dua t’u them që askush të mos ndihet keq pasi ky bashkim është në radhë të parë bashkim zemrash. Kjo nismë, ky solidaritet dhe kjo sasi e madhe lekësh me kontribute na bënë krenar si fshat, na konfirmon ato vlera fisnike të trashëguara.

Si menaxhohen të ardhurat?

Po ju bëj me dije se të gjitha vendimet merren me marrëveshje dhe transparencë nga komisioni i ngritur me nga dy përfaqësues nga çdo lagjie. E gjithë kjo shumë do na krijoj mundësi reale të mëdha, që në terren të bëjmë punë goxha të mirë. Mendoj se duhet të vazhdojmë me kontribute në mënyrë që në terren të bëjmë sa më shumë punë. Herë pas here pasqyrojë shumën e saktë të grumbulluar bashkë me tabelat përkatëse me emrat e kontribuuesve. Ka ndonjë zë që me vjen tangent për dyshime, për seriozitetin e realizimit apo për menaxhimin me efikasitet të lekeve të mbledhura. Koha është gjykatësi më i mire dhe ajo do ta tregojë se sa serioz do jemi në ato që kemi thënë e bërë. Personalisht do isha i gatshëm që në përfundim të mbylljes së llogarisë të tërhiqesha nga realizimi në terren n.q.s nuk do kisha besimin e një pjese nga ju, gjë që nuk e them për të bëre interesantin por për të bëre më të mirën e mundshme.

– Si po shkojnë punimet në rrugë?

Gjatë punimeve të rrugës në Zhapokikën e Sipërme

– Ne kemi projektin dhe fazat e zbatimit, fazat e punimeve, planin për zgjerimin e rrugës, për kanalizimet dhe tombinot ku është pjesa me rëndësishme e punimeve në rrugë pasi e mbron rrugën nga shiu dhe balta. Nga matjet na rezultoi se duhet sasi e madhe tombinosh, në pjesën e rrugës nga Canometaj pasi segmenti nga Melova kërkon më pak tombino pasi rruga gjarpëron në kurriz të vargut kodrinor. Me dy topograf, Arben Hoxha dhe Rrapi Meçaj si dhe dy personat me të cilët  biseduam për realizimin e rrugës, z. Astrit Shehaj dhe z. Ermal Jaupi matem gjatësinë e rrugës si dhe përcaktuam tombinot që nevojiten në të gjithë rrugën. Rruga e ndërtuar me parametrat e duhur teknik është garanci për te mos u dëmtuar nga faktorët natyral. Të mos harrojmë që gjatësia e rrugës që do trajtojmë është rreth 16 km. Mbas mbarimit të fazës së parë do e trajtojmë me çakëll ku mendojmë të hedhim mbi 3000 m3. Mbas çakullit është e domosdoshme që të trajtohet me rrul në mënyre që çakulli të ngjishet dhe të jetë kompakt. Po punohet mbi gurje në Delviçan dhe nga sterrat në drejtim te Keçerishtit

Na shoqërojnë në të shumtën e kohës në rrugë anëtarët e komisionit, që prej fillimit të punimeve të cilat monitorojmë hap pas hapi në terren në bashkëpunim me të gjithë anëtarët e komisionit. Informojmë vazhdimisht lidhur me ecurinë e punimeve por edhe me shpenzimet. Ne grupi organizator e kemi deklaruar që në fillim që rruga e fshatit do trajtohet në të gjithë gjatësinë e saj dhe në të gjitha lagjet njësoj por vihemi në pozitë të vështire kur na rezulton që një lagje si Cacaj me pak shtëpi kontribuojnë të gjithë si shtëpi dhe si individë. Nuk dua dhe as do përmend ndonjëherë emra por dua të them që jam shumë i surprizuar nga kontributet dhe gatishmërinë  kanë dhënë bijtë dhe bijat tanë.

Na tregoni diçka interesante për Zhapokikën e Sipërme

– Fshat! Ka vende me mure të vjetër të padatur. Njerëz bujar dhe mikpritës. Interesante është se në zonën tonë ka disa vende të shenjta të besimit Bektashi. Në Zhapokikë nr 1 ndodhet tyrbe e BABA Myftarit, në Muçodemaj është tyrbe e BABA Isufit, në Zhapokikë nr 2 ndodhet mekami i BABA Hysos në lagjien Delviçan si dhe dy vende të shenjta në lagjien Keçerisht, Baba Lulo dhe Baba Murati që u shërbente i ndieri Dervish Qenani. Po ashtu në Koshtan ndodhet teqeja më e madhe në rrethin e Tepelenës si dhe disa tyrbe ku një ndër to është dhe tyrbe e BABA Muharremit dhe e Dervish Muharremit nga Canometaj. Për disa nga këto vende të shenjta kujdeset BABA FAIK SELMANI i cili shërben dhe në teqen e madhe të Elbasanit ku prehet shenjtori jone BABA SHERIF CANOMETAJ. BABA Faiku është shumë i interesuar që vendet e shenjta që përmenda të kenë rrugë të mirë për të shkuar në to ndaj dhe po i bashkohet nismës tonë për bërjen e rrugës.

 Ju qofshim falë dhe marrshim nga uratat e tuaja! Ata na urojnë me fjalën “Zoti dhe shenjtorët e ndriçofshin rrugën tuaj në shërbim të bektashizmit dhe paçi jetën e gjatë”. Ecim pa u ndalur!..

Ku qëndron e veçanta e kësaj nisme?

 – Kjo nismë nisi me dëshirën dhe vullnetin e mire të të gjithë Zhapoqoteve dhe si e tillë do përmbyllet deri në realizimin e rrugës.

Ky nisme me ketë nivel kontributesh është i veçantë dhe i padëgjuar dhe si i tillë nuk besoj se do përsëritet herë tjetër ndaj le t’i bashkohen edhe ata që munden por ngurojnë në mënyre që të bejmë vërtetë një rruge me parametra cilësor. Ngelemi besimplotë se kontributet do vazhdojnë dhe ne të bashkuar do realizojmë ashtu si duhet ëndrrën tone të kahershme. Për mua çdo Zhapoqotë është i barabartë dhe njësoj i respektuar pavarësisht pasurisë apo pushtetit politike. Zhapoqotet po shkruajnë histori pasi po arrijnë që me kontributet e tyre do te bëjnë të mundur rringritjen dhe gjallërimin e fshatit tonë pothuajse të braktisur.

A mendoni pasi të mbarojë rruga do filloj përsëri jeta në fshat?  

– Tashmë jemi të sigurte që ai fshat pothuajse i braktisur do të rigjallerohet në vazhdimësi dhe se tymi i oxhaqeve do duket nga shumë larg si triumf i vazhdimësisë së jetës dhe i kthimit ne rrënjët e origjinës. Le të shërbejë kjo nismë dhe ky organizim edhe për fshatrat e tjerë në mënyrë që zona në tërsi të gjallërohet. Nisma e ndërmarr nuk do ndalet vetëm me ezaurimin e këtij fondi që kemi grumbulluar por do të përpiqemi në vitet në vazhdim që edhe ta asfaltojmë rrugën. Ashtu siç kemi ecur deri tani të bashkuar, të unifikuar dhe pa përçarje ashtu do të shkojmë deri në fund, deri në realizimin e rrugës dhe deri në shpenzimin e qindarkës së fundit.

– Si mund t’i falenderosh bashkëfshatarët e tu?

– Më lejoni të shpreh falënderimet e mija me mirënjohjen më të lartë për të gjithë ata djem dhe vajza të Zhapokikës së sipërme, që në këtë vit të vështirë, e gjetën mundësinë të kontribuonin për të bërë të mundur nisjen e rregullimit të rrugës së këtij fshati tepër malor. Ndihem i vogël përpara jush, por dua të shpreh mendimin tim se kjo s’është hera e parë që ndodh. Mbase të tjerë diku e kanë bërë përpara nesh, por për ne nuk është aspak vonë. Besoj dhe shpresoj se s’do ngelet askush nga familjet e atij fshati pa dhënë kontributin e tyre, pasi përtej dobisë se na thjeshtëson të gjithëve lëvizjen në fshatin tonë, përmbushim dhe një ëndërr të paraardhësve tanë.

Gjithashtu shpresoj që dhe drejtuesit e Bashkisë Memaliaj t’i kthejnë sytë nga kjo sakrificë e banorëve te këtij fshati dhe ti bashkohen kësaj nisme për ndërtimin e rrugës që ajo zonë e braktisur të ringjallet dhe të kthehen banorët duke rindërtuar shtëpitë dhe të gjallërohet vendi me frymëmarrjen e tyre.

Bekuar qofshin të gjithë Zhapoqotet kudo ku ndodhen!

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *