“Shtëpiakë të dëshpëruar” është një komedi romantike mbi burrin modern. Komedia vjen me regji nga Artan Imami, i njohur dhe i vlerësuar në skenën teatrore shqiptare. Në role janë Artan Imami, Gentian Zenelaj dhe Indrit Çobani. Tre aktorët që janë para publikut në shfaqje artistike të ndryshme, por këtë herë ata vijnë me një komedi franceze të suksesshme edhe në skenat e huaja më parë. Vepra u vu në skenën e Parisit në vitin 2011, për të vijuar me sukses në teatër. “Nuk është një parodi e serisë së famshme “Shtëpiake të dëshpëruara”. Vepra është vënë në skenë në vitin 2011 në Paris dhe vazhdon jetën e saj edhe sot.
Ngjarjet në komedi

Pasi merr një letër-ndarjeje nga e dashura e tij Sofi, Xherom (Aratan Imami), thërret dy miqtë e tij Aleks (Gentian Zenelaj) dhe Stefan (Indrit Çobani), për ta ndihmuar të gjejë një mënyrë për të rifituar Sofinë!…Kuptohet që asgjë nuk ndodh sipas planeve të tyre! Në materialin e komedisë publikuar nga teatri, thuhet se vepra si strukturë është një “hibrid” modern midis stand-up comedy dhe komedisë klasike. “Tre personazhet, me karakter dhe personalitete të ndryshme trajtojnë e flasin mbi të gjitha temat e marrëdhënieve njerëzore në çift si, tradhtia, ndarja, psikologjia femërore, psikologjia mashkullore, paragjykimet mbi dashurinë, seksin, martesën, maskilizmin, misogjininë, etj”, shpjegohet për komedinë “Shtëpiakë të dëshpëruar”. Tre shokët, kur bëhen bashkë, mund të thonë hapur çka mendojnë. Dhe këtë, nëpërmjet batutash, ia thonë dhe publikut. Komedia “Shtëpiakë të dëshpëruar”, ishte premierë në skenën e teatrit të Durrësit dhe do të jetë në vijim dhe të tjera skena teatrore.