Unë, biri yt, vendlindje

Këto ditë mora në dorë librin e profesor Asim Brahimit. Për profesor Asimin kam një respekt të veçantë dhe një nderim të thellë shpirtëror. Ai ka qenë mësues i babait tim, Zenjel Fejzo, kur jepte mësim në qytetin e Memaliajt. Për një periudhë të shkurtër, pata edhe unë nderin të isha nxënësja e tij në lëndën e letërsisë, po në Memaliaj.
Një telefonatë mëngjesi më ftoi për një kafe, ku profesori dëshironte të më takonte. Nxitova ta takoja, sepse profesori nuk është përdorues i rrjeteve sociale dhe, për më tepër, nuk kemi mundësi të takohemi shpesh. Ndaj, kureshtja për këtë takim ishte e madhe.
Sa herë takohemi, përtej marrëdhënies së zakonshme mes një ish-nxënëse dhe mësuesit të tij, emocionet na pushtojnë dhe sytë na mbushen me lot. Profesori e kujton babanë tim si mik, jo thjesht si ish-nxënës të tij, e kujton me dashuri e respekt, si një njeri të rrallë.
“Zenjeli ishte prind i përkushtuar, burrë i mençur, punëtor dhe duarartë. Edhe ti i ke ngjarë tët atit!” – më thotë gjithmonë duke qeshur sa herë takohemi.
Nuk di si t’ia shpërblej këtë kujtesë të çmuar dhe këtë respekt që ai vazhdon të dëshmojë për babanë tim. Fjalët e tij të qeta më prekin thellë, sepse më duket sikur, përmes tyre, edhe babai im më përcjell ende një mesazh:
Vazhdo të punosh me ndershmëri, kujto kush je dhe mos e harro vendlindjen!
Pikërisht këto ndjenja m’u zgjuan edhe më fort në librin e profesor Asimit. Në të, ai sjell kujtime nga jeta larg vendlindjes, ndërsa vitet që kalojnë duket se e bëjnë edhe më të ndjeshme nostalgjinë për vendin e tij të dashur.
Nostalgjia, si një ndjesi e brendshme e shpirtit njerëzor, e çon imagjinatën në thellësi dhe largësi, në ato hapësira ku kujtimet mbeten të gjalla e të paprekura nga koha. E ky udhëtim imagjinar e ka pikënisjen te vendlindja, te rrënjët, te njerëzit dhe te gjithçka që na lidh pazgjidhshmërisht me të.
Besoj se edhe shumë buzjotë të tjerë, përmes këtyre faqeve, do të përjetojnë emocione të veçanta dhe do të gjejnë frymëzim te vendlindja, te historia, te vlerat dhe te begatia e saj. Njëkohësisht, do të ndihen krenarë që nga gjiri i tyre ka dalë një figurë si profesor Asim Brahimi, i cili vijon të kontribuojë me përkushtim në ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave atdhetare e kulturore.
Në këtë libër, profesori ka përmbledhur shkrime dhe kujtime të sjella në forma e këndvështrime të ndryshme. Përmes tyre, pasqyrohen puna dhe përkushtimi i tij, si dhe veprimtaria e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tafil Buzi” në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit. Ai sjell në vëmendje përpjekjet për përmbushjen e detyrave dhe realizimin e veprimtarive, angazhimin e anëtarëve, por edhe vështirësitë e problemet me të cilat është përballur shoqata ndër vite.
Në këto kujtime gjen jo vetëm dëshmi të një veprimtarie të përkushtuar, por edhe gjurmë të një humanizmi të veçantë: gëzimin e përbashkët për çdo lajm të mirë dhe ndjeshmërinë përballë dhimbjes njerëzore. Sepse, në fund të fundit, vlerat e vërteta të një njeriu maten edhe me aftësinë për të ndarë me të tjerët gëzimin, dhimbjen dhe përgjegjësinë njerëzore.
Si lexuese, në rreshtat e këtij libri gjeta shumë vlera. Gjeta kujtesën që nuk shuhet, dashurinë për vendlindjen, respektin për njerëzit dhe përkushtimin ndaj trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore. Gjeta ato vlera që nuk shiten e nuk blihen, sepse kanë çmimin e zemrës dhe të ndërgjegjes njerëzore.
Profesor Asim, ju uroj suksese dhe botime të tjera! Qoftë ky libër një dëshmi e çmuar për brezat që vijnë, që të njohin më mirë rrënjët e tyre, njerëzit që kanë kontribuar për vendlindjen dhe vlerat që duhet t’i ruajmë e t’ua përcjellim brezave.
Me respekt Enkeleida Zenjel Fejzo
Tiranë, tetor 2026